Më 29 janar 2026 në Reporting House u zhvillua një bisedë me Oliver Durey, galerist me bazë në Londër dhe drejtor i Larkin Durey, një galeri bashkëkohore e përkushtuar në zbulimin dhe përfaqësimin e artistëve nga mbarë bota, në bashkëbisedim me kuratorin Gaz Ejupi.
Diskutimi u fokusua në mënyrën se si artistët përfaqësohen brenda konteksteve muzeale dhe institucionale, duke trajtuar rolin e galerive, kuratorëve dhe bashkëpunimeve afatgjata në ndërtimin dhe zhvillimin e karrierave artistike. Vëmendje e veçantë iu kushtua dinamikave që lidhin hapësirën e galerisë me atë muzeale, si dhe mënyrës se si këto marrëdhënie ndikojnë në dukshmërinë dhe konsolidimin e praktikave artistike në nivel ndërkombëtar.
Si pikë reference u trajtua praktika e artistit Gonçalo Mabunda, veprat e të cilit eksplorojnë kujtesën e pas-konfliktit përmes skulpturës, duke përdorur materiale të ricikluara nga armët e luftës. Rasti i tij shërbeu si shembull për të kuptuar rrugëtimin nga përfaqësimi në galeri drejt ekspozimit në institucione muzeale, si dhe rolin e ndërmjetësve artistikë në këtë proces.