Vaughan Smith është kameraman me honorar i cili ishte qëlluar në telefonin e tij celular ndërsa filmonte ekskluzivisht masakrën e Prekazit. Ai organizoi dhe filmoi intervistën e parë pa maskë me një anëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovicin. Filmoi masakrën e Obrisë dhe, duke ecur fshehurazi në Kosovë nga Maqedonia, incizoi Parashutistët Britanikë duke mbërritur në Kosovë me helikopter gjatë ndërhyrjes së NATO-s. Vaughan ishte duke shkuar në aeroport me ta për t’u përballur me rusët, kur u kërkuan të ktheheshin mbrapsht nga gjenerali britanik Sir Mike Jackson.
Vaughan është pionier i lajmeve dhe themeloi Frontline Club në Londër më 2003 si ndërmarrje sociale për të mbështetur gazetarinë e pavarur dhe për të promovuar një kuptim më të mirë të lajmeve ndërkombëtare dhe mbulimit të tyre. Gjatë viteve 1990-ta, Vaughan punoi si kameraman i pavarur dhe video-gazetar i lajmeve, duke mbuluar luftërat dhe konfliktet në Irak, Afganistan, Bosnjë, Çeçeni, Kosovë dhe gjetiu. Gjatë asaj kohe themeloi dhe drejtoi Frontline News Television, agjenci e ngritur për të përfaqësuar interesat e gazetarëve të rinj që donin të zgjeronin kufijtë e profesionit të tyre. Gjatë atyre viteve të trazuara, që filluan me rënien e Komunizmit dhe zgjatën deri në sulmin e 11 shtatorit, punonjësit me honorar të Frontline kapën disa nga pamjet më të mira të konflikteve në botë.
Vaughan vetë filmoi pamjet e vetme të pakontrolluara të Luftës së Gjirit më 1991, pasi arriti të përvidhej në një njësi aktive ndërsa ishte i maskuar si oficer i Ushtrisë Britanike. Veprimet e Frontline Television News kapën imagjinatën e një brezi të tërë gazetarëve të rinj të pavarur. Kjo histori është detajuar së fundmi në librin “Frontline: Historia e Vërtetë e Rebelëve Britanikë që Ndryshuan Fytyrën e Gazetarisë në Luftë,” nga David Loyn, BBC.
Gazetarët e Frontline morën mbi vete rreziqe të mëdha dhe tetë anëtarë ose ish-anëtarë janë vrarë gjatë punës në terren. Frontline Club është dedikuar për kujtimin e tyre. Vetë Vaughan u qëllua dy herë por shpëtoi vetëm me lëndime të lehta. Si kameraman i pavarur, Vaughan fitoi, individualisht ose si pjesë e ekipit, 28 çmime lajmesh. Shumë prej tyre për “The Valley,” film që Vaughan prodhoi për Luftën e Kosovës, i cili mbetet një nga dokumentarët më të vlerësuar të shfaqur në Channel 4 Television të Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë kohës së Vaughan si profesionist i pavarur, ai punoi për shumë nga stacionet kryesore televizive të botës dhe u bë avokues i madh për gazetarët e pavarur që operojnë në zona të luftës.
Para se të themelonte Frontline, Vaughan ishte Kapiten në Gardën Grenadier të Ushtrisë Britanike, duke shërbyer në Irlandë të Veriut, Qipro dhe Gjermani. Ishte kapiten i ekipit të qitjes me pushkë në Ushtrinë Britanike dhe fitoi kampionatin e ushtrisë në qitje me pushkë. Vaughan është Kryetari i zgjedhur i Regjistrit të Profesionistëve të Pavarur të Frontline, FFR, organ unik me më shumë se 1,500 persona të regjistruar i cili promovon gazetarinë e përgjegjshme dhe të sigurt dhe përfaqëson profesionistët e pavarur dhe gazetarët lokalë në mbarë botën.