MAKINA LAND ROVER I KAMERAMANIT VAUGHAN SMITH
Ky nuk është thjesht një Land Rover i blinduar. Është një makinë kohe, një mjet i mbijetesës, kujtesës dhe të vërtetës. Ai u prodhua në vitin 1994 në Oksford të Anglisë, dhe u ble nga video-gazetari Vaughan Smith, i cili raportoi për luftën në Kosovë me këtë makinë, së bashku me producenten lokale Jeta Xharrën. Puna e tyre u transmetua në BBC TV News gjatë viteve 1998 - 1999.
Kjo makinë ka bartur kaseta të fshehura nëpër postblloqe, duke i anashkaluar ato nëpër terrene të thyera, shpesh është dashur të tërhiqej zvarrë nga balta, ka sfiduar minat tokësore, akullin dhe borën, dhe njëherë është dashur të vozitej për disa kilometra përgjatë një lumi, duke e përmbytur kabinën e makinës.
Në moshën e saj të vyer, makina bëri udhëtimin e saj të fundit të gjatë, në verën e vitit 2024, me dritat dhe fshirëset e xhamave që nuk funksiononin më, gati 1,800 kilometra që nga Londra në drejtim të Prishtinës. Kjo makinë e dëmtuar dhe rezistente tani shërben si një rojtare për muzeun tonë të gazetarisë.
Shenjat në trup–duke përfshirë njëmbëdhjetë goditje plumbash të riparuara dhe një shenjë snajperi të mbetur në xhamin e përparëm – tregojnë historinë e shumë rrugëve që ka përshkuar, nga vijat e frontit të Drenicës dhe Deçanit, vendet e masakrave të Prekazit, Rahovecit dhe Reçakut, deri te takimet nën yjet e hapura.
Smith jep më shumë detaje përmes zërit të tij që mund ta dëgjoni brenda automjetit. Ai kujton Drenicën: "Kur arritëm atje, hapnim derën e makinës dhe menjëherë e ndieje erën e njerëzve që jetonin jashtë shtëpive të tyre për muaj të tërë, me rroba të palara, djersë, dhe atë erë lehtësisht metalike të gjakut që u vinte njerëzve. Ishte shumë e jetë e rëndë për njerëzit (e Kosovës) dhe shumë prekëse për t'u përjetuar".
MAKINA LAND ROVER I KAMERAMANIT VAUGHAN SMITH
MAKINA LAND ROVER I KAMERAMANIT VAUGHAN SMITH