KAMERA E AGIM AVDIUT

Donatorë të kamerës: Gëzim dhe Gazmend Avdiu

Agim Avdiu (1954–2005) ishte montazher në Radio Televizionin e Prishtinës (RTP) nga 1974 deri më 1990, kur u përjashtua nga puna për shkak të masave të dhunshme të regjimit të Millosheviqit që larguan rreth 2000 punonjës shqiptarë nga televizioni publik dhe e përditshmja Rilindja, sipas Human Rights Watch. Më pas, së bashku me djemtë Gëzimin e Gazmendin, themeloi “Studio AA” dhe bleu në Zagreb në vitin 1991 këtë kamerë Panasonic M10.

Kamera u soll në Kosovë dhe dokumentoi plagë e dëshmi të dhunës ndaj shqiptarëve: kur policia serbe i rrihte, ata vinin në shtëpinë e Agimit, ekspozonin plagët para kamerës së tij dhe jepnin deklarata që dhuna të mbetej e dokumentuar. Njëkohësisht, me të u xhiruan skeçe humoristike, si edhe koncerte e dasma të viteve 1990 për Diasporën. Sipas Rexhep Selimit, xhirimi i këngës “Kreshtat e Kosovës” në një odë të Drenicës u bë me këtë kamerë.

Në vitin 1997 kamera iu dhurua UÇK-së për të bërë xhirime të ngjarjeve në zonat ku ata operonin. Gjatë ofensivës në Drenicë, Halil Bytyçi (Komandant Therra) e fshehu atë në një kotec pulash. “E gjithë shtëpia u kall, përveç kotecit. Diçka hyjnore e shpëtoi këtë kamerë që ma dha Rexhep Selimi me e rujt kur isha te kulla ime në Obri gjatë ofensivës të tmerrshme që zhvilloi Serbia ndaj nesh në 1998”, thotë Bytyçi për Reporting House.  

Pas luftës, kamera u ruajt në TMK nga Rexhep Selimi dhe pas vdekjes së Agimit (2005), iu kthye familjes. Në vitin 2024, Gëzimi dhe Gazmendi e dhuruan kamerën si artefakt për Reporting House, ku mund të vini ta vizitoni dhe të shihni kamerën që qëndron si vlerë e madhe për muzeun.

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.