CELULARI I QËLLUAR I KAMERAMANIT VAUGHAN SMITH
Telefoni celular që ia shpëtoi jetën gazetarit britanik dhe themeluesit të Frontline Club, Vaughan Smith, u godit me plumb më 6 mars 1998, derisa ai po filmonte sulmin e ushtrisë serbe ndaj kompleksit të familjes Jashari në Prekaz të Drenicës.
Duke filmuar betejën nga një kodër prapa shkurreve, Smith – kameraman i pavarur që raportoi qysh herët për dhunën në Kosovë – u kap nën zjarrin e drejtpërdrejtë të snajperit (rreth 30 predha nga një variant i AK-47). Ai ndjeu një goditje të shurdhër në bel, por duke qenë se as nuk u paralizua prej saj dhe as nuk pa t'i rrjedh gjak, mendoi që ishte goditur nga ndonjë gur apo rikoshet dhe arriti të tërhiqej në vend të sigurtë me kolegët e tij.
Vetëm pasi arriti tek vetura që ishte disa kilometra larg, Smith zbuloi se ai në fakt ishte qëlluar.
Kur e zgjati dorën për të marrë telefonin celular në çantën e belit për t'i telefonuar gruas, hasi në celularin e copëtuar, me një plumb të ngulur direkt në bateri.
Plumbi që lëvizte me shpejtësi të lartë ishte ngadalësuar nga disa gjëra që ai i kishte në çantën e belit, të mbështjella fort në një shami të gjelbër: një paketë cigareje Marlboro, një tufë e trashë kartëmonedhash (markat gjermane kishin një vrimë të pastër të shpuar drejt e në mes) dhe së fundi – telefoni celular.
Një mavijosje e madhe dhe e dhimbshme në stomakun e tij tregoi se ku e kishte shpëtuar objekti blindues i improvizuar nga një plagë shkatërruese në bark.
Telefoni celular i thyer, së bashku me plumbin e ngulur në të dhe paratë e cigaret e shpuara u shëndërruan në një artefakt të famshëm të ekspozuar në Frontline Club në Londër.
Xhirimet e Smith të momentit kur u qëllua me plumb, përfshirë edhe kamerën që rrëzohet, mund të shihen plotësisht te Ekrani 2, në të djathtë të këtij artefakti.
Kolegja dhe përkthyesja e Vaughan në mars të vitit 1998 dhe përgjatë luftës ishte Jeta Xharra, bashkë-themeluesja e Reporting House.
CELULARI I QËLLUAR I KAMERAMANIT VAUGHAN SMITH
CELULARI I QËLLUAR I KAMERAMANIT VAUGHAN SMITH