DRITA E GJELBËR – Olafur Eliasson

Në Vjenë të Austrisë, në vitin 2016, nga fryma komunitare e studios së Olafur Eliasson, në bashkëpunim me TBA21, u realizua punëtoria artistike Drita e gjelbër. Nga ky projekt u krijua një punëtori bashkëpunuese për ndërtimin e llambave që quheshin “drita të gjelbra”, të punuara nga azilkërkuesit dhe refugjatët në qytet. Projekti u konceptua si akt i mikpritjes, duke u ofruar pjesëmarrësve angazhim mësimi dhe qasje socio-ekonomike në periudha të tranzicionit dhe krizave personale, duke ndriçuar në mënyrë metaforike dritën jeshile për azilkërkuesit dhe refugjatët, si përgjigje ndaj krizës së refugjatëve.

Në kuadër të Dritës së gjelbër u mbajtën disa punëtori dhe përsëritje: në Vjenë më 2016 dhe Venedik (Itali), Hjuston (Teksas, SHBA) dhe Jokohama (Japoni) më 2017, të gjitha të organizuara në bashkëpunim me OJQ vendore. Në secilin nga këto qytete, projekti grumbulloi fonde për të mbështetur ndihmën humanitare dhe aktivitetet arsimore për njerëzit në lëvizje.

Në punëtorinë artistike Drita e gjelbër u ftuan grupe nga tridhjetë deri dyzet refugjatë, emigrantë, azilkërkues dhe studentë apo partnerë të komunitetit për të marrë pjesë në një proces artistik të të mësuarit dhe krijimit bashkëpunues, duke ofruar hapësirë bashkëveprimi mes pjesëmarrësve me prejardhje të ndryshme. Përmes procesit të ndërtimit komunitar, Drita e gjelbër nxiti forma të ndryshme pjesëmarrjeje dhe angazhimi dhe eksploroi një gamë të gjerë perspektivash mbi emigrimin, shtetësinë, mungesën e shtetësisë, mbërritjen, kujtesën dhe përkatësinë.

Përveç punëtorisë artistike, për pjesëmarrësit u krijua edhe programi publik Mësimi i përbashkët, në të cilin u përfshinë punëtori muzike dhe videoje, seminare arsimore dhe nisma të drejtuara nga artistë, së bashku me kurse gjuhe, trajnime për punësim, këshillim psikologjik dhe ndihmë juridike.

Kristalet ndriçuese të llambave Drita e gjelbër janë njësi poliedrike të pajisura me drita të vogla LED me ngjyrë të gjelbër. Forma unike e modulit të Dritës së gjelbër bazohet në kubin dhe trekëndëshin e artë; është shpikur nga bashkëpunëtori dhe miku i kamotshëm i Eliasson, Einar Thorsteinn (1942–2015), si pjesë e studimeve të shumta gjeometrike të kryera në studio. Të ndërtuara kryesisht nga materiale të ricikluara, këto njësi mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur ose të kombinohen në konfigurime të ndryshme arkitekturore ose skulpturore. Ato krijojnë mjedis që vazhdimisht zgjerohet brenda hapësirës ekspozuese që rrëfen historinë e këtij prodhimi kolektiv.

Drita e gjelbër – Punëtori artistike, 2016

Dokumentim fotografik dhe video i Dritës së gjelbër – Punëtori artistike e organizuar në Vjenë, Austri (TBA21, 2016); Venedik, Itali (Bienalja e 57-të e Venedikut, 2017); Jokohama, Japoni (Trienalja e Jokohamës, 2017); Hjuston, Teksas, SHBA (Qendra Moody për Artet, 2017).

E prodhuar nga TBA21
Instalacioni përfshin katër filma nga pjesëmarrësit e Dritës së gjelbër: Marie Laure Amougou, Ali Karimi, Frank Manu Kwaku dhe Amiyao Songne, prodhuar me ZaLab gjatë një punëtorie filmi të udhëhequr nga Michele Aiello dhe Davide Crudetti në kuadër të programit Mësimi i përbashkët në Bienalen e 57-të të Venecias.
TBA21 – Koleksioni i Artit Bashkëkohor Thyssen-Bornemisza

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.