FRAGMENTET E MBIJETESËS – Hussein al-Jerjawi
Kurator: Gazmend Ejupi
Vendi: Galeria Reporting House, ish-qendra tregtare “Gërmia” në Prishtinë
Galeria Reporting House në Prishtinë ka kënaqësinë t’ju njoftojë për hapjen e ekspozitës personale Fragmentet e mbijetesës të artistit nga Gaza, Hussein al-Jerjawi, kuruar nga Gazmend Ejupi.
Hussein al-Jerjawi, 18 vjeç, është detyruar pesë herë të zhvendoset si pasojë e luftës së nxitur nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023. Për shkak të konfliktit, ai është dashur ta ndërpresë edhe shkollimin. Lufta pati ndikim të ndjeshëm në rrugëtimin e tij artistik, duke e shtyrë të përdorë një medium të pazakontë: thasët e miellit nga ndihmat humanitare si pëlhurë për pikturë. Pikturat e tij të simboleve të mbijetesës në një territor të rrethuar shfaqin çarjet, plasaritjet dhe simbolet e tjera që reflektojnë jetën e thyer të banorëve të Gazës.
“Kur pikturoj mbi thasët e miellit, ndihem sikur shkruaj historinë tonë me penel të zhytur në vuajtje dhe qëndresë. Përdorimi i thasëve të ndihmave është reagim i natyrshëm ndaj mungesës së materialeve të zakonshme artistike në Gaza,” theksoi al-Jerjawi. “Në një tendë refugjatësh, i rrethuar nga thasë boshë të UNRWA-së, vendosa të pikturoj mbi to për të kapur dhimbjen e luftës dhe historinë time të zhvendosjes,” shtoi ai, duke iu referuar Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë, si agjencia kryesore e OKB-së për ndihmë për palestinezët.
Zhvillimet e javëve të fundit e kanë bërë edhe më domethënës mjetin e shprehjes së al-Jerjawi. UNRWA tashmë është përjashtuar nga Izraeli dhe SHBA-të, duke e vendosur në vend të saj Fondacionin Humanitar të Gazës, entitet ky kontrovers i cili deri më tani shpërndan ushqime në mënyrë të çrregullt dhe shpeshherë shoqëruar me vrasje masive nga ushtria izraelite të palestinezëve që presin për ndihma pothuajse çdo ditë.
Veprat e al-Jerjawi, të punuara në kushte ekstreme të rrethimit dhe luftës, përfaqësojnë një dëshmi të gjallë të fuqisë së krijimtarisë përballë shkatërrimit dhe vuajtjes.
“Edhe pasi humba kaq shumë, arti im mbetet vepra ime e rezistencës,” tha ai. Gjatë përshkrimit të njërës prej pikturave të tij, al-Jerjawi shpjegon: “Thasët e miellit janë dëshmitarë të heshtur të historive të të zhvendosurve, në pritje të mbijetesës. Me alë të shtypura që paraqesin gjendjen e ngrirë njerëzore, duart e ngritura dhe të shtrënguara – disa që mbajnë miell, të tjerat bosh – flasin për kërkimin e dëshpëruar për shpresë.”
Ai shtoi se “fytyrat tregojnë histori lodhjeje dhe urie. Sytë kërkojnë jo vetëm bukë, por dinjitet. Turma e zbehur në sfond, sikur hija, pret në radhë të cilës nuk i shihet fundi.” Al-Jerjawi e sheh artin e tij si mbrojtje të identitetit palestinez.
Kjo ekspozitë paraqet narrativën politike dhe traumën kolektive të Gazës, ndërsa ofron një reflektim më intim mbi identitetin, trupin dhe hapësirat personale të mbijetesës.
Në Reporting House reflektojmë mbi ndikimin e luftës dhe konfliktit, si dhe mbi shoqëritë që formohen përmes rezistencës dhe luftës për liri. Ne besojmë se duke ndarë perspektivat e ndryshme do të mund hedhim para një hap të vogël drejt solidaritetit, mirëkuptimit më të thellë dhe t’ua kujtojmë vizitorëve tanë se lufta për drejtësi dhe paqe është përvojë e përbashkët njerëzore.
“Fragmentet e mbijetesës: Arti i Hussein al-Jerjawi”, ekspozitë e rezistencës artistike nga Gaza
“Fragmentet e mbijetesës: Arti i Hussein al-Jerjawi”, ekspozitë e rezistencës artistike nga Gaza