“100” – Gazmend Ejupi
Titulli i ekspozitës: 100
Instalacioni kuruar nga: Gazmend Ejupi
Mineralet nga: Trepça Sh.A
Produkcioni nga: Open Art Gallery
Hulumtimi: ESI, BIRN & Bridget Storrie
Në përvjetorin e parë të muzeut tonë po ju prezantojmë instalacionin që shënon 100 vjet të minierave në Trepçë.
Këto minerale janë nga Stantërgu, miniera më e vjetër e kompleksit gjigand të Trepçës, i cili ndodhet 45 kilometra në veri të Prishtinës. Minierën e ka zhvilluar një ndërmarrje britanike minierash në vitet e 1920-ta, pak vite pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, mirëpo gjatë Luftës së Dytë Botërore kontrollin e Trepçës e mori Gjermania Naziste, e cila e mbajti kontrollin e minierës deri në 1944 kur erdhën në pushtet partizanët jugosllavë me të cilët filloi një epokë e re e mihjeve që kishte për qëllim të nxjerrte sasi të mëdha xehesh me investime minimale.
Gjatë periudhës që njihet si epoka e artë e Trepçës, nga viti 1960 deri më 1981, punësimi u rrit nga 8,000 në 22,885 punëtorë në vitin 1988. Kur Millosheviqi filloi suprimimin e autonomisë së Kosovës brenda Jugosllavisë, Trepça u bë kryeqendër e demonstratave. Në vitin 1989, në nëntokën e minierës, 1200 minatorë organizuan grevë urie tetëditore, qëllimi i së cilës ishte mbrojtja e Kushtetutës së Jugosllavisë, e vitit 1974. Ndonëse greva mori përmasa epike, ajo nuk arriti të ndalë shtypjen e paligjshmedhe u shnëndrrua në paralajmërim për shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë.
Mineralet që i shihni këtu duke qëndruar pezull, të cilat duken thua se janë pjesë e momentit të një Shpërthimi të Madh të universit, janë dhuratë të cilat Trepça na i ka dhënë me zemërgjerësi. Këto minerale janë nxjerrë nga 750 metra thelllësi nëntokësore, nga minatorë të cilët ende punojnë në kushte të vështira, në temperatura deri në 50 gradë Celsius, në lagështi, papastërti, pluhur dhe pa pajisje mbrojtëse. E megjithatë, xehet e plumbit dhe zinkut nga këta gurë të nxjerrë në mënyrë primitive dhe me metoda të vështira, përfundojnë në xhepin tonë, në teknologjitë moderne siç janë telefonat mobil që i përdorim. Plumbi dhe zinku i Trepçës përdoren edhe në bateritë e veturave. Këto kristale, të papërpunuara dhe ndriçuese e shumë mbresëlënëse janë më shumë se një mrekulli gjeologjike. Ato janë kalendar i historisë, dëshmitare të pafolura të mundit, rrjedha e moçme kohore e të cilave tashmë është ndërthurur me dekadat e fundit të rezistencës dhe çlirimit tonë.
Instalacioni "100"
Instalacioni "100"