Në Stacionin e Trenave në Prishtinë është hapur muzeu “Eksodi ’99”, një projekt i prodhuar nga Reporting House që dokumenton përvojën e qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës të dëbuar me forcë gjatë luftës së vitit 1999.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë zyrtarë shtetërorë, diplomatë, studiues, aktivistë të shoqërisë civile, artistë dhe qytetarë të shumtë.
I vendosur në hapësirën prej nga nisën trenat që transportuan refugjatët drejt Maqedonisë së Veriut gjatë pranverës së vitit 1999, muzeu sjell në qendër të vëmendjes një nga kapitujt më dramatikë të historisë së fundit të Kosovës. Mes marsit dhe qershorit 1999, qindra mijëra shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre përgjatë linjës hekurudhore Prishtinë–Han i Elezit, në një nga zhvendosjet më të mëdha me dhunë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ekspozita përfshin 48 rrëfime personale të njerëzve që e përjetuan eksodin, të mbledhura dhe të treguara 27 vjet pas luftës. Historitë janë organizuar në katër tema kryesore: dëbimi, jeta në kampet e refugjatëve, qëndrimi te familjet mikpritëse dhe kthimi në Kosovë. Përveç rrëfimeve të refugjatëve, muzeu prezanton edhe dëshmi të atyre që mbetën në Kosovë, u fshehën gjatë luftës ose iu bashkuan rezistencës së armatosur.
“Eksodi ’99” synon të ruajë kujtesën e përvojës së refugjatëve dhe të krijojë një hapësirë reflektimi për brezat që nuk e kanë përjetuar luftën. Përmes dëshmive personale, muzeu e zhvendos fokusin nga statistikat te përvojat individuale të njerëzve që humbën shtëpitë, u ndanë nga familjarët dhe u detyruan të kërkonin strehim jashtë Kosovës.
Muzeu është prodhuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi. Ai është themeluar nga Reporting House, BIRN Kosova dhe Prishtina Biennale.
“Eksodi ’99” gjendet në Stacionin e Trenave në Prishtinë dhe është i hapur për vizitorë nga e marta deri të dielën, nga ora 12:00 deri në 20:00.