Dr. Emir Suljagić është gazetar, autor, profesor dhe drejtor i Qendrës Memoriale Srebrenica-Potoçari që nga viti 2019.
Suljagić ka doktoraturë në Shkenca Politike nga Universiteti i Hamburgut. Ka shërbyer si Ministër i Arsimit në kantonin e Sarajevës nga 13 janar 2011
deri më 29 shkurt 2012 si dhe ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes nga 31 mars 2015 deri më 10 dhjetor 2015.
Ka punuar si përkthyes i gjuhës angleze për organizatën e Kombeve të Bashkuara në Srebrenicë dhe ka filluar karrierën e tij si gazetar duke punuar
për revistën javore, fituese të çmimeve të ndryshme, Dani. Suljagić ka punuar si korrespondent i Institutit për Raportim të Luftës dhe Paqes, duke raportuar
nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavinë (ICTY). Mes tjerash, ka botuar për revistat New York Times, Boston Globe, AlJazeera, El Pais, Die Zeit dhe Oslobođenje. Suljagić ka ligjeruar lëndën Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës. Publikimi përkujtimor i tij “Kartolina nga Varri” (2003) paraqet rrëfimin e parë të një të mbijetuari të Srebrenicës të botuar në anglisht dhe më pas të botuar në tetë gjuhë të tjera.