Matthew Price ka qenë korrespondent i Lindjes së Mesme për BBC me bazë në Jerusalem që nga marsi 2004. Para kësaj, ishte korrespondent i BBC-së në Beograd nga viti 2002 dhe mbuloi ngjarjet në të gjithë ish-Jugosllavinë dhe Shqipërinë.
Matthew iu bashkua BBC-së në vitin 1994 si gazetar praktikant për radio lokale. Vazhdoi të punojë si gazetar për BBC Radio Lincolnshire midis viteve 1995 dhe 1997 dhe për BBC Newcastle nga 1997 deri në 1999, ku mbuloi lajmet televizive dhe ato radiofonike.
Në vitin 1999, u bashkua me Newsround, programin kryesor të BBC-së për çështjet aktuale për fëmijë. Ka pranuar një numër çmimesh për punën e tij. Në vitin 2000 u votua si Gazetari i Ri i Vitit nga Shoqata Mbretërore e Televizionit.
Dy vjet më vonë, në vitin 2002, së bashku me producenten Audrey Neil dhe kameramanin Mark McCauley, fitoi çmimin Bafta për punën e tij në Afganistan pas rënies së Talebanëve nga pushteti.
Gjatë vitit 2003, raportoi nga Gjiri dhe Bagdadi gjatë dhe pas luftës në Irak. Në mars të vitit 2004, u bë korrespondent i Lindjes së Mesme për BBC, duke punuar për të gjitha kanalet e BBC-së, për televizion, radio dhe online.
I lindur në Londër në qershor të vitit 1972, Matthew u diplomua nga Universiteti i Kembrixhit në vitin 1994 me diplomë në Gjeografi.