Në këtë episod të #KallxoPërnime, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, rrëfen angazhimin e tij gjatë luftës në Kosovë, duke u ndalur te Masakra e Reçakut, përballja me regjimin e Sllobodan Millosheviqit dhe jeta e tij pas largimit nga Kosova. Përmes kësaj interviste, ai rikujton ngjarjet që shënuan një kthesë të rëndësishme në vëmendjen ndërkombëtare ndaj konfliktit në Kosovë.
Walker shpjegon arsyet pse, sipas tij, Masakra e Reçakut mori jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe flet për reagimet që pasuan pas dokumentimit të krimit. Ai kujton gjithashtu momentin e largimit nga Kosova dhe mënyrën se si u përcoll nga përkthyesit shqiptarë që kishin punuar me të gjatë misionit të OSBE-së. Në intervistë, ai ndan edhe kujtimet nga ballafaqimi me Sllobodan Millosheviqin në Hagë, duke treguar se çfarë i tha gjatë përballjes së tyre në gjykatë.