“Reporting House” (Shtëpia e gazetarëve) është pranuar si anëtare në Rrjetin e Organizatave Europiane të Muzeve (NEMO).

Përmes një njoftimi publik të vetë rrjetit, shkruhet se “Reporting House” shënon 25 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe u ofron vizitorëve kosovarë dhe ndërkombëtarë një vështrim të thelluar mbi atë që konsiderohet si lufta e fundit evropiane e shekullit të 20-të.

NEMO shkruan se, ekspozita prezantohet nga BIRN Kosova dhe Prishtina Biennale dhe bashkon gazetarinë, fotografinë dhe artefakte mediatike nga vitet ’90, së bashku me vepra arti bashkëkohore që reflektojnë mbi ndikimin afatgjatë të luftës.

Tutje, tregohet se vizitorët, sipas njoftimit, udhëhiqen përmes historisë së re të Kosovës—nga rezistenca paqësore dhe formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te lufta e viteve 1998–99, bombardimet e NATO-s dhe deri te pavarësia.

“I themeluar nga gazetarja Jeta Xharra dhe i kuruar nga artisti Gazmend Ejupi, Reporting House thekson rolin thelbësor të medias në formësimin e kujtesës historike dhe fton bashkëpunim të vazhdueshëm ndërsa ekspozita vazhdon të zhvillohet”- thuhet në shkrimin e publikuar, të shtunën më 25.04.2026.

“Motivimi ynë për t’u bashkuar me NEMO është të ndajmë modelin tonë unik të kombinimit të gazetarisë me artin bashkëkohor me institucione të tjera evropiane. Ne u bëmë një vend i ndihmuar nga shumë shtete evropiane që gjithashtu kanë përjetuar luftë, dhe duam të mësojmë nga muzetë evropiane se si të rrëfejmë historinë tonë për brezat e ardhshëm. Ne jemi vendi më i ri në Evropë, dhe ndoshta muzeu më i ri që bëhet pjesë e rrjetit, prandaj kemi shumë për të mësuar nga shkëmbimi i njohurive në rrjetin NEMO”- citohet  të ketë deklaruar Xharra.

Rrjeti evropian i muzeve NEMO  (Network of European Museum Organisations), është një organizatë ndërkombëtare që bashkon institucionet dhe organizatat muzeale në gjithë Evropën.

Njëzet e pesë vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, ekspozita REPORTING HOUSE (Shtëpia e gazetarëve) ofron një pasqyrim të hollësishëm të luftës evropiane që përmbylli shekullin e 20-të.

Kjo ekspozitë është hapur më 10 qershor 2024, për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Ekspozita e REPORTING HOUSE u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s. Kjo çoi deri në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008.

E vendosur në katin e parë të ish-objektit “Gërmia”, shtëpisë së parë të mallrave në Kosovë, e ndërtuar në vitin 1973, “Reporting House” u shndërrua në një hapësirë jo vetëm dokumentimi, por edhe diskutimi e hulumtimi për gazetarë, hulumtues, e studentë vendorë dhe ndërkombëtarë.Personalitete të ndryshme publike shqiptare dhe ndërkombëtare, vizituan “Reporting House”.

Disa prej tyre, më tepër se njëherë duke sjellë me vete familjarë, miq e të gjithë të interesuar për historinë moderne të Kosovës.

Reporting House, i cili fillimisht ishte menduar të zgjasë vetëm tre muaj, është shndërruar në një nga platformat më të rëndësishme në Kosovë për trajtimin e kujtesës kolektive, gazetarisë dhe artit bashkëkohor. Kështu vlerëson artisti dhe kuratori Gazmend Ejupi, i cili ka qenë i angazhuar në zhvillimin e kësaj ekspozite.

Sipas tij, ndikimi i projektit ka tejkaluar pritjet fillestare, duke marrë një peshë të madhe  publike.

Ai thotë se rëndësia e këtij projekti pritet të thellohet edhe më tej gjatë këtij viti, pasi Reporting House do të lidhet me projektin “BLLACA 99 – Eksodi”, e që kjo ndërthurje synon të hapë hapësira të reja reflektimi.

Ejupi vë në pah se një nga shtyllat kryesore të projektit mbetet lidhja mes materialeve gazetareske, arkivave dokumentare dhe artit bashkëkohor.

Sipas tij, pikërisht kjo ndërthurje e bën Reporting House një platformë unike, ku gazetaria nuk mbetet vetëm si dokumentim historik, por transformohet në një përvojë vizuale, emocionale dhe kritike për publikun.

“Fakti që tashmë jemi pjesë e një konteksti më të gjerë muzeal evropian dëshmon se Reporting House ka arritur të krijojë një model të veçantë të prezantimit të historisë, kujtesës dhe dëshmisë përmes ndërthurjes së gazetarisë, arkivit dhe artit bashkëkohor”- ka deklaruar Ejupi për KALLXO.com.

 

Përmbajtje e ngjashme

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.