Sot, të mërkurën, më 18.06.2025, në “Reporting House” do të hapet një instalacion i veçantë, i realizuar me 500 kristale origjinale të bartura nga Miniera e Trepçës, për të shënuar 1-vjetorin e hapjes së “Reporting House”.

Instalacioni i titulluar “100” shënon edhe 100-vjetorin e mineraleve të Trepçës.

“Reporting House” ka njoftuar se mineralet që do të prezantohen përmes instalacionit “100”, i kuruar nga Gazmend Ejupi, janë nga Miniera e Stantërgut – miniera më e vjetër e Kompleksit gjigand të “Trepçës” – pak kilometra nga qyteti i Mitrovicës dhe 45 kilometra në veri të Prishtinës.

Këto minerale janë nxjerrë nga 750 metra thellësi nëntokësore, nga minatorë të cilët ende punojnë në kushte të vështira, në temperatura deri në 50 gradë celsius, në lagështi, papastërti, pluhur dhe pa pajisje mbrojtëse.

“E, megjithatë, xehet e plumbit dhe zinkut nga këta gurë të nxjerrë në mënyrë primitive dhe me metoda të vështira përfundojnë në xhepin tonë, në teknologjitë moderne, siç janë: telefonat mobil që i përdorim. Plumbi dhe zinku i Trepçës përdoren edhe në bateritë e veturave. Këto kristale, të papërpunuara dhe ndriçuese, e shumë mbresëlënëse, janë më shumë se një mrekulli gjeologjike. Ato janë kalendar i historisë, dëshmitare të pafolura të mundit, rrjedha e moçme kohore e të cilave tashmë është ndërthurur me dekadat e fundit të rezistencës dhe çlirimit tonë.” – thuhet në Njoftim.

Minierën e Stantërgut, njëra nga më të vjetrat në kuadër të Kompleksit industrial “Trepça”, sipas Njoftimit të “Reporting House”, e ka zhvilluar një Ndërmarrje britanike minierash në vitet e 1920-ta, pak vite pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, mirëpo thuhet më tej në Njoftim gjatë Luftës së Dytë Botërore kontrollin e Trepçës e mori Gjermania Naziste, e cila e mbajti kontrollin e Minierës deri në 1944, kur erdhën në pushtet partizanët jugosllavë me të cilët filloi një epokë e re e mihjeve, që kishte për qëllim të nxjerrë sasi të mëdha xehesh me investime minimale.

Gjatë periudhës që njihet si epoka e artë e Trepçës, nga viti 1960 deri më 1981, punësimi u rrit nga 8,000 në 22,885 punëtorë në vitin 1988. Kur Millosheviqi filloi suprimimin e autonomisë së Kosovës brenda Jugosllavisë Trepça u bë Kryeqendër e demonstratave.

“Në vitin 1989, në nëntokën e Minierës, 1,200 minatorë organizuan grevë urie 8-ditore – qëllimi i së cilës ishte mbrojtja e Kushtetutës së Jugosllavisë, e vitit 1974. Ndonëse greva mori përmasa epike, ajo nuk arriti të ndalë shtypjen e paligjshme dhe u shndërrua në paralajmërim për shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë.” – thuhet në Njoftim.

Historikisht të dhënat për mihje në Trepçë datojnë qysh në Epokën Romake. Emri i Trepçës është paraqitur në një kartë papnore të vitit 1303.

“Në Stantërg është prodhuar xehja e plumbit, zinkut, argjendit dhe arit. Osmanët morën kontrollin e Minierës nga viti 1455. Si pasojë e shkatërrimit që pasoi gjatë Luftës së Lidhjes së Shenjtë aktiviteti minerar u shua në fund të shekullit XVII-të.” – thuhet në Njoftimin e “Reporting House”.

Ringjallja industriale e Trepçës në epokën moderne filloi me vlerësimet e depozitave të plumbit dhe zinkut në vitet e 1920-ta, me inicim të Nikolla Pashiqit, kryeministrit të Jugosllavisë dhe të birit të tij, Rade. Në kuadër të kësaj nisme pas përmbylljes së aktivitetit eksplorues më 1925 u arrit Marrëveshja 50-vjeçare e koncesionimit me “Selection Trust” – Ndërmarrje britanike për financim të Minierave.

Në vitin 1927 “Selection Trust” hapi filialin e saj në Londër të quajtur “Trepça Mines Limited”. Në vitin 1930 e filloi prodhimin dhe operoi me Minierën deri në Luftën e Dytë Botërore.

“Reporting House” është hapur më 10.06.2024 në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

“Reporting House” pasqyron punën e madhe që kanë bërë gazetarët vendorë e ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë.

Përmbajtje e ngjashme

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.