Max Stahl

Ky prodhues britanik i dokumentarëvei pavarur dhe i guximshëm nisi karrierën e tij si Christopher Wenner, një aktor dhe regjisor teatri dhe pastaj bashkë-prezantues i programit kryesor për fëmijë të BBC-së, ‘Blue Peter’, në fund të viteve 1970. Në vitet 1980 ai filloi të udhëtonte në zona konflikti, Amerikë Qendrore, Liban dhe të tjera, për të bërë dokumentarë.

Nga vitet 1990 ai adoptoi pseudonimin Max Stahl si një masë që ia mundësoi të vazhdojë të futet në vende të rrezikshme, veçanërisht në Timor-Leste (Timori Lindor), ku ai bëri emër duke filmuar një masakër nga trupat indoneziane në vitin 1991. Ajo dhe kontributi i tij i mëvonshëm në dokumentarin ‘Vdekja e një Kombi’ ishin kontribute të mëdha për kauzën e Timorit Lindor. Puna e tij në vitet 1990 e çoi gjithashtu në Rusi, Çeçeni dhe Ballkan.

Ai jetoi vitet e tij të fundit në Timor-Leste të pavarur, duke themeluar Qendrën Audiovizuale ‘Max Stahl’ për Timor-Leste, duke grumbulluar një arkiv prej mbi 5000 orë xhirimesh gjatë dekadave të luftës për pavarësi. Ai vdiq nga kanceri i fytit në vitin 2021.

Max (Chris) erdhi në Kosovë në vjeshtën e vitit 1997, për të bërë raporte dokumentare për ‘UK Channel 4 News’ dhe si vëzhgues i pavarur i zgjedhjeve serbe në atëherë provincën. Raportimi i tij i parë kishte të bëjë për ato zgjedhje. Alex Anderson, vëzhguesi afatgjatë i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-së me seli në Prishtinë në atë kohë, kujton: “Chris kishte një stil si të Indiana Jones, madje e kishte edhe kapelën”.

Max vazhdoi vizitat e tij në Kosovë deri në pranverën e vitit 1998, duke bërë raporte që dokumentuan këtë periudhë kur konflikti po ziente e po fillonte të shpërthente, para se të tërhiqte vëmendjen e mediave botërore. Më 9 mars 1998 ai po filmonte një demonstratë masive në Prishtinë, për ta protestuar dhunën ushtarake serbe në Drenicë, kur tre burra serbë të armatosur dhe me xhaketa lëkure e kapën, e tërhoqën përmes një dere, e grabitën dhe e rrahën.

Përshkrimi i tij se çka ndodhi mund të shihet këtu:

Paul Lowe

Paul Lou është fotograf i vlerësuar me çmime, puna e të cilit është paraqitur në botime të njohura si Time, Newsweek, Life, The Sunday Times Magazine, The Observer, The Independent dhe The Telegraph. Ai ka mbuluar ngjarje të rëndësishme globale, si rënia e Murit të Berlinit, lirimi i Nelson Mandelës, uria në Afrikë, konflikti jugosllav dhe shkatërrimi i qytetit të Groznit. Duhet theksuar që fotot e tij nga prilli 1999, të bëra në kampet e refugjatëve në Maqedoni dhe Shqipëri, u botuan në revistën Telegraph, The New York Times dhe një revistë franceze.

Paul është po ashtu Shef Katedre për programin Master në Fotogazetari dhe Fotografi Dokumentare në Kolegjin e Komunikimit në Londër, Universiteti i Arteve në Londër. Ai luajti rol kyç në avancimin e programit drejt titullit të plotë Master në vitin 2004. Përveç kësaj, ai ka shkruar disa libra, duke përfshirë “Boshnjakët”, i cili dokumenton luftën dhe situatën e pasluftës në Bosnje, dhe ka qenë bashkautor i librit “Të Kuptojmë Fotogazetarinë”. Hulumtimi i tij fokusohet kryesisht në fotografimin e konflikteve, duke kontribuar në libra si “Përshkrimi i mizorive: Fotografia në krizë” dhe “Fotografia dhe konflikti”.

Sei Motoda

Jam i lindur në Himeji, Japoni, në vitin 1953. Në vitin 1978 fillova të punoj si reporter i lajmeve për Nippon Television (NTV) në Tokio. Fillimisht mbuloja lajmet vendore si politika. Pastaj në vitin 1989 historia botërore ndryshoi: Muri i Berlinit ra dhe Bush dhe Gorbaçov u takuan në Maltë për ta shpallur fundin e Luftës së Ftohtë. Unë shkova në Maltë si anëtar i ekipit të lajmeve dhe u emocionova nga ndryshimi dramatik i historisë.
I kërkova shefit tim të më dërgonte në Evropë dhe në vitin 1994 më caktuan si shef të zyrës në Londër. Në atë kohë gadishulli Ballkanik ishte në trazira. Vizitova Bosnjën, Shqipërinë dhe Kosovën për t’i mbuluar konfliktet. U befasova të shoh se luftërat e nxehta shpërthenin edhe në Evropën e shekullit 20. E bëra raportin për Kosovën në verën e vitit 1998 dhe shumë pak japonezë dinin diçka për Kosovën atëherë.
Raporti për Kosovën ishte raporti im i fundit nga Evropa pasi më kthyen përsëri në Tokio në gusht. U bëra redaktor i lajmeve të huaja në vitin 2001. Në vitin 2014 u largova nga NTV dhe ligjërova gazetarinë në Universitetin Hakuoh në Tochigi, Japoni, deri në mars 2024.

Andrew Testa

Në një karrierë të shtrirë për më shumë se tridhjetë vjet, Endru Testa ka punuar gjerësisht në MB, Ballkan dhe Lindjen e Mesme, duke fotografuar çështje rreth konfliktit, të drejtave të njeriut dhe mjedisit. Andrew ka lindur në Londër, Angli në 1965. Ai e filloi karrierën e tij fotografike në fillim të viteve 1990, duke punuar si i pavarur për gazetat Guardian dhe Observer. Gjatë gjithë dekadës, ai dokumentoi lëvizjet në rritje të Protestave Mjedisore dhe të Drejtave të Kafshëve në MB. Në vitin 1999, ai riorientoi vëmendjen e tij drejt Ballkanit, duke mbuluar luftën në Kosovë. Në fund të vitit 1999, u transferua në Kosovë, të cilën e përdori si bazë për të mbuluar ngjarjet në Evropën Lindore, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme. Në vitin 2005 u transferua në Nju Jork, ku qëndroi për pesë vjet. Ai tani jeton në Londër, me gruan dhe dy fëmijët e tij. Vitet e fundit, ai e ka përqendruar vëmendjen e tij në trazirat politike të shkaktuara nga Brexit-i dhe pasojat afatgjata të tij për Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën.

Ai është bashkëpunëtor i rregullt i New York Times, ndërsa puna e tij është botuar gjerësisht në revista si Newsweek, Time, Stern, Geo, Paris Match, Der Spiegel, The Sunday Times Magazine, The Independent Magazine, Mother Jones, Mare dhe Granta.

Paul S. Refsdal

Paul Refsdal u lind në Kongsvinger, Norvegji. Ai u diplomua në Shkollën e Oficerëve të Ushtrisë Norvegjeze në vitin 1983, në moshën 19-vjeçare.

Refsdal raportoi për konflikte të ndryshme gjatë viteve 1980, duke përfshirë luftën sovjeto-afgane, ku u takua me shkrimtarin britanik Jason Elliot, si dhe punoi me separatistët tamilë. Ai gjithashtu mbuloi grupet guerile në Amerikën Latine, duke përfshirë Unitetin Kombëtar Revolucionar të Guatemalës dhe Rrugën e Ndritshme (Shining Path) në Peru. Më 1999, ai bashkëpunoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjatë së cilës u lëndua, e më pas u shpëtua, me ndihmën e ministrit të jashtëm të Norvegjisë.

Në vitin 2009, Refsdal fitoi financimin për prodhimin e një dokumentari për talebanët. Ndërsa mblidhte materiale në Afganistan, ai u rrëmbye dhe u mbajt për haraç. Ai u konvertua në Islam gjatë mbajtjes së tij, si dhe u lirua më 12 nëntor 2009, pas negociatave me Ministrinë e Jashtme Norvegjeze. Dokumentari “Fanget av Taliban” u publikua në vitin 2010, pasuar nga versioni ndërkombëtar, “Taliban: Prapa maskave”, transmetuar në CNN. Refsdal u nominua për çmimin Rory Peck, si dhe kontribuoi në një seri që fitoi Çmimin National Headliner. Edhe libri i tij “Geriljareporteren” u botua në vitin 2010.

Në verën e vitit 2013, Refsdal kaloi gjashtë javë me luftëtarët rebelë myslimanë në Siri gjatë luftës civile, duke i përshkruar ata si dashamirës, por ushtarakisht amatorë.

Thomas Dworzak

Tomas Dvorzhak, lindur në Gjermani më 1972, është fotograf i shquar që ka mbuluar ngjarje e lajme të mëdha që nga vitet 1990. Ai filloi të udhëtonte e të fotografonte konfliktet që në moshën 16-vjeçare, duke përfshirë ato në Irlandën Veriore, Izrael/Palestinë, si dhe në Jugosllavi. Dvorzhak ndoqi studimet për fotografi e gjuhë në Spanjë, në Republikën Çeke, si dhe Rusi. Ai kaloi vitet e 90-ta në Gjeorgji, duke botuar librin “Kavkaz” më 2010.

Veprat e tij të njohura janë “Taliban” (2003), “M*A*S*H IRAQ” (2007), si dhe “Feldpost” (2013–18), ku dokumentohen kujtimet e Luftës së Parë me anë të 1,568 kartolinave. Dvorzhak ka fotografuar revolucionet në republikat ish-sovjetike, si dhe ka mbuluar ndodhi në shumë vende. Ai është edhe kurator, duke hulumtuar kulturën digjitale përmes memeve (memes) në Instagram.

Gjatë krizës së refugjatëve më 2015, ai krijoi dhe shpërndau Guidën fotografike “Europe – a photographic guide for refugees.” Projekti i tij “War Games” (Lojëra lufte) zhvendosi vëmendjen tek bota virtuale në “Zoom” gjatë pandemisë Covid-19. Më 2021, ai botoi “Khidi – The Bridge” (Ura Khidi), skenar/libër fotografik për trupat gjeorgjiane. Dvorzhaku iu bashkëngjit shtëpisë Magnum Photos më 2000, u bë anëtar i plotë më 2004, si dhe shërbeu si President i saj nga viti 2017 deri më 2020.

Alan Chin

Alan Çin është fotograf, profesor dhe shkrimtar amerikan, i cili ka punuar si fotoreporter i pavarur në pika të ndryshme të botës, që nga viti 1996, duke përfshirë Kinën, Jugosllavinë, Afganistanin, Irakun, Azinë Qendrore, Egjiptin dhe Tunizinë. Në SHBA, ai ka dokumentuar rrugëtimin e Lëvizjes për të Drejtat Civile, pasojat e uraganit Katrina dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2008. Karriera e tij filloi me fotografimin e intervenimit në sheshin Tiananmen më 1989.

Çin kontribuon në Newsweek dhe The New York Times, punon si redaktor dhe fotograf në BagNews, si dhe shërben si Drejtor Menaxhues i Projektit Përballja me Ndryshimin: Dokumentimi i Amerikës (FCDA). Ai gjithashtu ligjëron për foto-gazetari në Universitetin e Kolumbisë. Aktualisht është duke punuar në një libër për Taishan, rajonin e tij stërgjyshor, si dhe është një partner themelues i Shtëpisë Red Hook Editions.

Puna e Çinit në Kosovë i solli nominimet për çmimin Pulitzer në vitet 1999 dhe 2000, ndërsa fitoi Sfidën e Arteve të Detroitit të Fondacionit Knight 2017. Fotograia e tij është pjesë e koleksioneve të Muzeut të Artit Modern dhe Institutit të Arteve të Detroitit. Ai ka lindur dhe është rritur në lagjen kineze të Nju Jorkut.

David Lyon

David Loyn është autor, gazetar dhe analist i specializuar për Afganistanin, Azinë Jugore dhe historinë perandorake. Është anëtar i panelit këshillues për FCDO-në për politikën në Azinë Jugore dhe bashkë-drejtues i një kursi të karrierës së mesme për diplomatë për Akademinë Ndërkombëtare të FCDO-së për Azinë Jugore dhe Afganistanin.

Është ligjërues vizitor në Departamentin e Studimeve të Luftës në King’s College, Londër dhe shkruan rregullisht për Afganistanin për “Spectator”.

Si korrespondent i BBC-së për më shumë se tri dekada, David ka fituar çmime në raportim për radio e televizion, duke përfshirë çmimin Gazetari i Vitit nga Shoqata Mbretërore e Televizionit, për raportimin e tij mbi konfliktin në Kosovë në vitin 1998. Libri i tij “Frontline” u përzgjodh për Çmimin Orwell. Postimi i tij i fundit në BBC ishte si korrespondent në Afganistan, vend që e ka vizituar që nga viti 1994, duke përfshirë disa udhëtime gjatë kohës së kontrollit nga Talibanët.

Në periudhën 2017-2018, David punoi si këshilltar për Komunikimet Strategjike në zyrën e Presidentit afgan Ashraf Ghani. Ka diplomë Master në Histori Moderne nga Universiteti i Oksfordit dhe është avokat i kualifikuar.

David është anëtar bordi i Peace Direct dhe Anëtar i Asociuar i Muzeut Perandorak të Luftës.

Për prodhimin e këtyre raportimeve televizive, David dhe Vaughan punuan me përkthyes dhe prodhues lokalë, si Fisnik Abrashi, Belma Bajrami, Safet Gashi, Visar Kryeziu dhe Jeta Xharra

Ben Brown

Ben Brown iu bashkua “BBC TV News” në vitin 1988 dhe ishte Korrespondent për Çështjet e Jashtme deri në vitin 1991, ku raportoi për rënien e Murit të Berlinit dhe Luftën e Gjirit, nga Arabia Saudite dhe Kuvajti. U emërua Korrespondent në Moskë në vitin 1991, ku ishte dëshmitar i rënies së fundit të Komunizmit dhe rënies së Mikhail Gorbachev.

Në vitin 1993 dhe vitin pasues ishte në Çeçeni për fillimin e luftës civile. Ky raportim i këtij konflikti i solli disa çmime ndërkombëtare, duke përfshirë Çmimin e Korrespondentit të Luftës të Vitit në Bayeux dhe Çmimin Golden Nymph nga Festivali i Televizionit në Monte-Karlo.

Në janar të vitit 1995, Brown rifilloi rolin e tij lëvizës si korrespondent i jashtëm, me bazë në Londër. Ai mbuloi shpërbërjen e Jugosllavisë, duke raportuar nga Bosnja-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova, ku tregimet e tij ndihmuan në sigurimin e disa çmimeve për BBC-në, përfshirë një çmim BAFTA (British Academy of Film and Television Arts). “Reporting House” është duke shfaqur 30 raportime të tij gjatë udhëtimeve në Kosovë në periudhën 1998-2000.

Për të prodhuar këto raportime televizive, Ben dhe Vaughan punuan me përkthyes dhe prodhues lokalë si Fisnik Abrashi, Belma Bajrami, Safet Gashi, Visar Kryeziu dhe Jeta Xharra.

Kate Aide

Kate Adie, autore dhe prezantuese, u bë figurë e njohur për shikuesit përmes punës së saj si Korrespondente Kryesore e Lajmeve të BBC-së. Ajo konsiderohet ndër raportueset më të mira, si dhe një nga gratë e para britanike që dërgonte raportime nga zonat e rrezikshme anembanë botës. Është gjithashtu e njohur si prezantuese e “From Our Own Correspondent” në Radio 4 dhe si e ftuar në shumë programe të tjera radiofonike dhe televizive.

Kate është emëruar “Raportuesja e Vitit” dy herë nga Shoqata Mbretërore e Televizionit; herën e parë për mbulimin e saj të përfundimit të rrethimit të Ambasadës Iraniane nga SAS në vitin 1980. Ka fituar çmimin e Monte Carlo International Golden Nymph në vitet 1981 dhe 1990 dhe u nderua me titullin OBE në vitin 1993.

Kate është rritur në Sunderland dhe ka studimet e para i përfundoi nga Universiteti i Newcastle ku studioi gjuhën suedeze. Ishte anëtare e Teatrit Kombëtar të Rinisë dhe ende ndjek teatrin dhe viziton galeritë kur ka kohë. Është një lexuese e zellshme e letërsisë dhe historisë dhe ka shërbyer si gjyqtare e çmimeve letrare, përfshirë çmimin Orange për Letërsi, çmimin e vjetër Whitbread dhe Costa. Kate gjithashtu ka shërbyer si anëtare bordi në Muzeun Imperial të Luftës dhe libri i saj “Corsets to Camouflage”, histori e shoqëruar me ekspozitën e muzeut për gratë në uniformë, u botua nga Hodder & Stoughton për të përkuar me hapjen e ekspozitës në vjeshtën e vitit 2003.

Libri i saj i parë, “The Kindness of Strangers”, përshkrim i punës së saj si raportuese dhe si e mori atë, u botua nga Headline
në vitin 2002 dhe qëndroi në listën e librave më të shitur të Sunday Times për 37 javë. Hodder & Stoughton tani ka botuar
“Nobody’s Child: The Lives of Abandoned Children” (2005) që formoi bazën e serive dokumentare të BBC 1, “FOUND”,
dhe së fundmi, “INTO DANGER” (2008), një studim mbi burrat dhe gratë që rrezikojnë jetën e tyre për punë.

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.