Andrew Testa

Në një karrierë të shtrirë për më shumë se tridhjetë vjet, Endru Testa ka punuar gjerësisht në MB, Ballkan dhe Lindjen e Mesme, duke fotografuar çështje rreth konfliktit, të drejtave të njeriut dhe mjedisit. Andrew ka lindur në Londër, Angli në 1965. Ai e filloi karrierën e tij fotografike në fillim të viteve 1990, duke punuar si i pavarur për gazetat Guardian dhe Observer. Gjatë gjithë dekadës, ai dokumentoi lëvizjet në rritje të Protestave Mjedisore dhe të Drejtave të Kafshëve në MB. Në vitin 1999, ai riorientoi vëmendjen e tij drejt Ballkanit, duke mbuluar luftën në Kosovë. Në fund të vitit 1999, u transferua në Kosovë, të cilën e përdori si bazë për të mbuluar ngjarjet në Evropën Lindore, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme. Në vitin 2005 u transferua në Nju Jork, ku qëndroi për pesë vjet. Ai tani jeton në Londër, me gruan dhe dy fëmijët e tij. Vitet e fundit, ai e ka përqendruar vëmendjen e tij në trazirat politike të shkaktuara nga Brexit-i dhe pasojat afatgjata të tij për Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën.

Ai është bashkëpunëtor i rregullt i New York Times, ndërsa puna e tij është botuar gjerësisht në revista si Newsweek, Time, Stern, Geo, Paris Match, Der Spiegel, The Sunday Times Magazine, The Independent Magazine, Mother Jones, Mare dhe Granta.

Paul S. Refsdal

Paul Refsdal u lind në Kongsvinger, Norvegji. Ai u diplomua në Shkollën e Oficerëve të Ushtrisë Norvegjeze në vitin 1983, në moshën 19-vjeçare.

Refsdal raportoi për konflikte të ndryshme gjatë viteve 1980, duke përfshirë luftën sovjeto-afgane, ku u takua me shkrimtarin britanik Jason Elliot, si dhe punoi me separatistët tamilë. Ai gjithashtu mbuloi grupet guerile në Amerikën Latine, duke përfshirë Unitetin Kombëtar Revolucionar të Guatemalës dhe Rrugën e Ndritshme (Shining Path) në Peru. Më 1999, ai bashkëpunoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjatë së cilës u lëndua, e më pas u shpëtua, me ndihmën e ministrit të jashtëm të Norvegjisë.

Në vitin 2009, Refsdal fitoi financimin për prodhimin e një dokumentari për talebanët. Ndërsa mblidhte materiale në Afganistan, ai u rrëmbye dhe u mbajt për haraç. Ai u konvertua në Islam gjatë mbajtjes së tij, si dhe u lirua më 12 nëntor 2009, pas negociatave me Ministrinë e Jashtme Norvegjeze. Dokumentari “Fanget av Taliban” u publikua në vitin 2010, pasuar nga versioni ndërkombëtar, “Taliban: Prapa maskave”, transmetuar në CNN. Refsdal u nominua për çmimin Rory Peck, si dhe kontribuoi në një seri që fitoi Çmimin National Headliner. Edhe libri i tij “Geriljareporteren” u botua në vitin 2010.

Në verën e vitit 2013, Refsdal kaloi gjashtë javë me luftëtarët rebelë myslimanë në Siri gjatë luftës civile, duke i përshkruar ata si dashamirës, por ushtarakisht amatorë.

Hazir Reka

I lindur në vitin 1961 në Ferizaj, jeton dhe punon si në Ferizaj ashtu dhe në Prishtinë. Punën si fotograf profesionist e filloi në vitin 1984 për revistën Bota e Re. Fotografitë e tij janë publikuar në revista kryesore të ish-Jugosllavisë (Mladina, Delo, Oslobođenje, Vreme, Start) si dhe në disa nga revistat më prestigjioze në botë (New York Times, Herald Tribune, Liberation, Time, Washington Post, Wall Street Journal). Në vitin 1998 filloi të punojë për agjencinë e lajmeve Reuters, ku ka mbuluar protestat dhe luftën në Kosovë, si dhe hyrjen e NATO-s në Kosovë. Reka gjithashtu kaloi kohë duke raportuar për luftën në Irak. Veprat e tij janë shfaqur në ekspozita personale në Zagreb, Gjenevë (Zvicër), Nevers (Francë), me Jean-François Baptiste, në Arabi Saudite dhe Barcelonë. Në kosovë ka organizuar ekspozitë në vitin 2014 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Në vitin 1991 publikoi vëllimin e fotografive “Ecje në Errësirë – Kosova1988-1990”.

Ilaz Bylykbashi

laz Bylykbashi, i lindur më 16 maj 1955, në Baicë, Lipjan, që herët zhvilloi interesim për fotografinë, sa ishte në shkollë të mesme në Gjilan. Studimet i vijoi për gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë, por pati ndërprerje për arsye personale. Duke qenë në nevojë për punësim gjatë studimeve, Bylykbashi filloi të punojë si gazetar i krimeve për gazetën studentore “Bota e Re.” Karrierën gradualisht e zhvendosi në fotografi kur zëvendësoi kolegët fotografë që mungonin.

Në korrik të vitit 1982, Bylykbashi filloi punën si fotogazetar për “Rilindja,” ku arriti të kapë ngjarjet e rëndësishme historike në Kosovë nga vitet e 1970-ta deri në të 90-at. Me punën e tij dokumentoi momentet kyçe, duke përfshirë masakrën e Jasharëve dhe 58 të tjera në Prekaz. Është përballë me keqtrajtim të dhunshëm nga autoritetet serbe gjatë viteve të 1990-ta dhe është njohur për fotografimin e incidenteve kritike, si largimi i shenjës “Rilindja” dhe zëvendësimin e saj me mbishkrimin “Graçanica” në ciriliken serbe pas revokimin të autonomisë së Kosovës nga Sllobodan Millosheviq më 1989.

Donika Shahini Lami

Donika Shahini Lami është gazetare e njohur, psikologe klinike dhe aktiviste, themeluese dhe drejtore e Qendrës së Mirëqenies Psikologjike “ORA”, e cila ofron shërbime këshillimi, psikoterapie dhe trajtimi për çështje të ndryshme psiko-sociale, përfshirë stresin post-traumatik dhe dhunën në familje.

Nga viti 1997 deri në vitin 2003 ishte gazetare për revistën “KOMBI” dhe njëkohësisht gazetare dhe koordinatore për televizionin publik japonez NHK. MEDIA VISION PRODUCTION” – Romë, Itali. Ishte gazetare dhe koordinatore e ekipit filmik për gjashtë dokumentarë për luftën në Kosovë, duke mbuluar të gjitha zonat e luftës. Është gazetarja e parë televizive që raportoi nga Prekazi/Drenica pas masakrës së familjes Jashari më 5-6 mars 1999. Gjithashtu ka qenë gazetare/raportuese nga zonat e tjera të luftës.

Ben Brown

Ben Brown iu bashkua “BBC TV News” në vitin 1988 dhe ishte Korrespondent për Çështjet e Jashtme deri në vitin 1991, ku raportoi për rënien e Murit të Berlinit dhe Luftën e Gjirit, nga Arabia Saudite dhe Kuvajti. U emërua Korrespondent në Moskë në vitin 1991, ku ishte dëshmitar i rënies së fundit të Komunizmit dhe rënies së Mikhail Gorbachev.

Në vitin 1993 dhe vitin pasues ishte në Çeçeni për fillimin e luftës civile. Ky raportim i këtij konflikti i solli disa çmime ndërkombëtare, duke përfshirë Çmimin e Korrespondentit të Luftës të Vitit në Bayeux dhe Çmimin Golden Nymph nga Festivali i Televizionit në Monte-Karlo.

Në janar të vitit 1995, Brown rifilloi rolin e tij lëvizës si korrespondent i jashtëm, me bazë në Londër. Ai mbuloi shpërbërjen e Jugosllavisë, duke raportuar nga Bosnja-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova, ku tregimet e tij ndihmuan në sigurimin e disa çmimeve për BBC-në, përfshirë një çmim BAFTA (British Academy of Film and Television Arts). “Reporting House” është duke shfaqur 30 raportime të tij gjatë udhëtimeve në Kosovë në periudhën 1998-2000.

Për të prodhuar këto raportime televizive, Ben dhe Vaughan punuan me përkthyes dhe prodhues lokalë si Fisnik Abrashi, Belma Bajrami, Safet Gashi, Visar Kryeziu dhe Jeta Xharra.

Kate Aide

Kate Adie, autore dhe prezantuese, u bë figurë e njohur për shikuesit përmes punës së saj si Korrespondente Kryesore e Lajmeve të BBC-së. Ajo konsiderohet ndër raportueset më të mira, si dhe një nga gratë e para britanike që dërgonte raportime nga zonat e rrezikshme anembanë botës. Është gjithashtu e njohur si prezantuese e “From Our Own Correspondent” në Radio 4 dhe si e ftuar në shumë programe të tjera radiofonike dhe televizive.

Kate është emëruar “Raportuesja e Vitit” dy herë nga Shoqata Mbretërore e Televizionit; herën e parë për mbulimin e saj të përfundimit të rrethimit të Ambasadës Iraniane nga SAS në vitin 1980. Ka fituar çmimin e Monte Carlo International Golden Nymph në vitet 1981 dhe 1990 dhe u nderua me titullin OBE në vitin 1993.

Kate është rritur në Sunderland dhe ka studimet e para i përfundoi nga Universiteti i Newcastle ku studioi gjuhën suedeze. Ishte anëtare e Teatrit Kombëtar të Rinisë dhe ende ndjek teatrin dhe viziton galeritë kur ka kohë. Është një lexuese e zellshme e letërsisë dhe historisë dhe ka shërbyer si gjyqtare e çmimeve letrare, përfshirë çmimin Orange për Letërsi, çmimin e vjetër Whitbread dhe Costa. Kate gjithashtu ka shërbyer si anëtare bordi në Muzeun Imperial të Luftës dhe libri i saj “Corsets to Camouflage”, histori e shoqëruar me ekspozitën e muzeut për gratë në uniformë, u botua nga Hodder & Stoughton për të përkuar me hapjen e ekspozitës në vjeshtën e vitit 2003.

Libri i saj i parë, “The Kindness of Strangers”, përshkrim i punës së saj si raportuese dhe si e mori atë, u botua nga Headline
në vitin 2002 dhe qëndroi në listën e librave më të shitur të Sunday Times për 37 javë. Hodder & Stoughton tani ka botuar
“Nobody’s Child: The Lives of Abandoned Children” (2005) që formoi bazën e serive dokumentare të BBC 1, “FOUND”,
dhe së fundmi, “INTO DANGER” (2008), një studim mbi burrat dhe gratë që rrezikojnë jetën e tyre për punë.

Paul Wood

Paul Wood u emërua korrespondent i mbrojtjes për BBC në maj 2005. Më parë ishte korrespondent i BBC-së për Lindjen e Mesme duke mbuluar botën arabe. Ka qenë në Bagdad gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003 dhe në Falluxha gjatë betejës për qytetin.

Në vitin 2004, mbulimi i tij për Irakun fitoi çmimin televiziv Bayeux për korrespondentët e luftës dhe “Golden Nymph” në festivalin televiziv të Monte Carlos. Këto çmime iu dhanë për raportimin e tij për sulmin vetëvrasës shkatërrues mbi pelegrinët irakianë në Karbala. Paul vazhdoi transmetimin ndërsa disa bomba shpërthyen rreth tij dhe ekipit të BBC-së.

Së fundi ishte i dyti në çmimet e Shoqatës Mbretërore të Televizionit për raportimin më të mirë ndërkombëtar në vitin 2005, për mbulimin e tij të Falluxhës.

Më parë ishte korrespondenti i BBC-së në Beograd dhe korrespondenti i Ballkanit, duke raportuar prapa linjave serbe ndërsa udhëtonte me guerilët kosovarë gjatë bombardimeve të NATO-s në qershor 1999. Gjithashtu ka raportuar nga Kroacia, Bosnja, Maqedonia, Çeçenia, Algjeria, Libia, Arabia Saudite, Siria dhe Sudani, përfshirë Darfurin.

Më parë ka qenë korrespondent për BBC-në në Irlandë Veriore dhe producent në redaksinë e Shërbimit Botëror në Bush House. Para se t’i bashkohej BBC-së, ka punuar për gazeta lokale dhe kombëtare. Ka diplo-
muar në LSE në Shkenca Politike.

Fergal Keane

Fergal Keane është korrespondent special për BBC News, me bazë në Londër në njësinë e Çështjeve Botërore të BBC-së. Fergal Keane iu bashkua BBC-së në vitin 1989 si korrespondent për Irlandën Veriore.

Në gusht 1990, u caktua korrespondent për Afrikën e Jugut, pasi kishte mbuluar rajonin gjatë fillimit të viteve 1980. Nga viti 1990 deri në 1994, raportimet e Fergal përfshinin trazirat në qytetet e Afrikës së Jugut dhe zgjedhjet e para shumë-racore pas përfundimit të aparteidit dhe gjenocidin në Ruanda.

Në vitin 1995 u caktua si korrespondent për Azinë me bazë në Hong Kong dhe dy vjet më vonë u kthye për tu vendosur në Njësinë e Çështjeve Botërore të BBC-së në Londër. Fergal u kthye në Ruanda në vitin 2004, për një program special të BBC Panorama që shënoi 10-vjetorin e gjenocidit.

Është shpallur fitues i përgjithshëm i Çmimit të Shtypit të Amnesty International në vitin 1993 dhe ka fituar çmimin Amnesty për televizion në vitin 1994 për hulumtimin e tij të gjenocidit në Ruanda, “Journey Into Darkness”.

Karrierën e tij në gazetari e filloi në vitin 1979 si gazetar për Limerick Leader dhe Chronicle para se të kalonte në gazetën e përditshme kombëtare, The Irish Press. Në vitin 1996, Fergal Keane u nderua me titullin OBE për shërbimin e tij në gazetari.

Matthew Price

Matthew Price ka qenë korrespondent i Lindjes së Mesme për BBC me bazë në Jerusalem që nga marsi 2004. Para kësaj, ishte korrespondent i BBC-së në Beograd nga viti 2002 dhe mbuloi ngjarjet në të gjithë ish-Jugosllavinë dhe Shqipërinë.

Matthew iu bashkua BBC-së në vitin 1994 si gazetar praktikant për radio lokale. Vazhdoi të punojë si gazetar për BBC Radio Lincolnshire midis viteve 1995 dhe 1997 dhe për BBC Newcastle nga 1997 deri në 1999, ku mbuloi lajmet televizive dhe ato radiofonike.

Në vitin 1999, u bashkua me Newsround, programin kryesor të BBC-së për çështjet aktuale për fëmijë. Ka pranuar një numër çmimesh për punën e tij. Në vitin 2000 u votua si Gazetari i Ri i Vitit nga Shoqata Mbretërore e Televizionit.

Dy vjet më vonë, në vitin 2002, së bashku me producenten Audrey Neil dhe kameramanin Mark McCauley, fitoi çmimin Bafta për punën e tij në Afganistan pas rënies së Talebanëve nga pushteti.

Gjatë vitit 2003, raportoi nga Gjiri dhe Bagdadi gjatë dhe pas luftës në Irak. Në mars të vitit 2004, u bë korrespondent i Lindjes së Mesme për BBC, duke punuar për të gjitha kanalet e BBC-së, për televizion, radio dhe online.

I lindur në Londër në qershor të vitit 1972, Matthew u diplomua nga Universiteti i Kembrixhit në vitin 1994 me diplomë në Gjeografi.

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.