Në këtë episod të #KallxoPërnime, flasin Bajram Çerkini, përfaqësues i familjarëve të personave të pagjetur, Ibrahim Makolli nga Delegacioni i Kosovës për Persona të Zhdukur, Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Mustafë Shala, djali i një personi të zhdukur gjatë luftës. Përmes përvojave dhe angazhimit të tyre, ata trajtojnë një nga plagët më të mëdha të pasluftës në Kosovë – fatin e personave të zhdukur me dhunë.
Dëshmitë dhe analizat e tyre hedhin dritë mbi përpjekjet për zbardhjen e fatit të viktimave, sfidat në procesin e identifikimit dhe kërkimit të mbetjeve mortore, si dhe rëndësinë e drejtësisë dhe të së vërtetës për familjet që vazhdojnë të presin përgjigje. Si aktivistë, zyrtarë dhe ekspertë të angazhuar në këtë proces, ata ndajnë perspektivat e tyre mbi punën institucionale, pengesat që vazhdojnë të ekzistojnë dhe nevojën për të mos u ndalur kërkimi derisa të sqarohet fati i çdo personi të pagjetur.