Historia e Vagonit

Vagoni i ekspozuar në Muzeun “Eksodi ’99” është një dëshmi e prekshme e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999. Ai i përket një serie vagonësh të mallrave të prodhuar për hekurudhat e ish-Jugosllavisë, kryesisht gjatë periudhës së viteve 1960-1980.

Ky lloj vagoni ishte projektuar fillimisht për transportin e mallrave dhe kafshëve, jo për udhëtarë. Megjithatë, gjatë pranverës së vitit 1999, kur mijëra shqiptarë të Kosovës u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre, autoritetet dhe forcat serbe i përdorën edhe këta vagonë për deportimin e popullsisë civile. Pasi vagonët e zakonshëm të udhëtarëve u mbushën me refugjatë, u shfrytëzuan edhe vagonët e mallrave dhe të shtazëve për të transportuar njerëz në kushte çnjerëzore drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Sot, vagonë të ngjashëm me këtë gjenden ende në Miradi të Poshtme, rreth 10 kilometra nga Prishtina, si pjesë e trashëgimisë materiale të sistemit hekurudhor të ish-Jugosllavisë. Vendosja e këtij vagoni në Muzeun “Eksodi ’99” shërben si simbol i vuajtjeve, shpërnguljes së detyruar dhe qëndresës së popullit të Kosovës gjatë luftës.

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.