Udhërrëfimi Edukativ & Virtual

Përmbajtja e Programit

Ky program synon të nxisë ndërtimin e një narrative të përbashkët për historinë e Kosovës, duke trajtuar si rezistencën paqësore ashtu edhe atë të armatosur, si dhe përjetimet e civilëve gjatë viteve ’90. 

Nën udhëheqjen e një udhërrëfyesi të muzeut, nxënësit njihen me:

  • Zhvillimin e nacionalizmave në Jugosllavi pas vdekjes së Titos dhe ngritjes së Millosheviqit në pushtet;
  • Masat represive ndaj Kosovës, grevën e minatorëve të Trepçës dhe shfuqizimin e paligjshëm të autonomisë së Kosovës, të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974;
  • Shembuj konkretë të përjashtimit të shqiptarëve nga jeta publike, si mbyllja e gazetës zyrtare “Rilindja”, e dokumentuar përmes fotografive të Iljaz Bylykbashit.

Programi paraqet gjithashtu:

  • Mënyrën se si shqiptarët e Kosovës u organizuan në një lëvizje paqësore të rezistencës civile nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, përfshirë sistemin paralel të arsimit në shtëpitë-shkolla;
  • Kalimin drejt rezistencës së armatosur nga viti 1997, me materiale filmike nga sulmi ushtarak serb në Prekaz dhe artefakte të mbetura nga shtëpia e Adem Jasharit;
  • Dy filma të animuar për fëmijë mbi dëbimet dhe eksodin e refugjatëve gjatë bombardimeve të NATO-s;
  • Kthimin e qindra mijëra shqiptarëve të dëbuar dhe pasojat e dhunshme të periudhës së pasluftës.

Udhërrëfimi përmbyllet me filmin e Sami Mustafës, regjisorit rom nga Prishtina, që dokumenton jetën e komunitetit rom në kampin e refugjatëve në Plemetinë – kampi i fundit i tillë në Kosovë që ekzistoi  deri në vitin 2005.

Udhërrëfyesit gjithashtu prezantojnë vepra arti nga Mozambiku, Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria të ekspozuara në Reporting House.

Qëllimi i Programit

Nxënësit mësojnë se liria, barazia dhe solidariteti nuk ishin vlera të vetëkuptueshme gjatë viteve ’90 dhe do të mësojnë si u organizua shoqëria për t’i rezistuar represionit. Përmes këtij programi, ata ballafaqohen drejtpërdrejt me çështje që lidhen me të të drejtave të njeriut, vlerave demokratike dhe realiteteve shoqërore aktuale.

Për pyetje mbi përgatitjen, logjistikën apo përmbajtjen e programit, na kontaktoni në: Info@reporting-house.com



This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.